Me 20 Tetor 2018, me Ftesë së Kryesisë së Shoqatës Korita Thërret në Bern u mbajt Mbledhja e përgjithshme me anëtarët dhe banorët e fshatit Koritë që jetojnë në Zvicër.
Shoqata ka shënuar rritje të numrit të anëtarësisë, sidomos brenda një viti, duke theksuar se numri i anëtarëve është shtuar për 100%. Përveç manifestimit, këtë vit është organizuar edhe aksioni i parë humanitar dhe se do të realizohet edhe projekti i parë infrastrukturor.
Edhe njëherë u ritheksua se dyert e shoqatës janë të hapura për çdokënd që dëshiron të kontribuoj me idetë dhe mundin e tij.
Për sa i përket manifestimit Korita Feston 2018, u dha mendimi dhe vlerësimi i kryesisë së shoqatës të sjellë nga mbledhja e muajit Shtator.
Manifestimi i vitit 2018 ishte i mirë i mirë organizuar me pjesëmarrje të shumicës së bashkëfshatarëve. Janë evidentuar edhe lëshime gjatë manifestimit të cilat në të ardhmen do të punohet që të mos përsëriten. Manifestimi është mbajtur me të gjitha aktivitetet që janë paraparë më herët.
Falënderojmë për pjesëmarrje edhe Delegacionin e Komunës së Gostivarit, të kryesuar nga Kryetari, z. Arben Taravari.
Shoqata Korita Thërret falënderon komunën e Gostivarit për larjen e rrugëve në brendi të fshatit, vetëm pak ditë përpara mbajtjes së manifestimit Tradicional.
Bashkërisht të gjithë anëtarët theksuan se gjëja më pozitive e këtij manifestimi ka qenë stolisja e binës, si një Odë e improvizuar me gjësende tradicionale nga fshati, si enët, veglat, veshjet, shtresat, zbukurimet dhe sendet tjera. U potencua se nga anëtarët, Bejtulla Nuhiu dhe Nazif Nuhiu shoqatës i’a dhuruan gjësendet të cilat ata i kanë sjellë nga shtëpitë e tyre, me të cilat është stolisur Bina/Oda e improvizuar.
Për diskutim u shtrua edhe Projekti për shtruarjen me pllaka bekatoni të hapësirës përpara varrezave të fshatit. Pasi u dhanë detaje nga kryetari Nazyf Nuhiu, Projekti gjeti mbështetje nga anëtarët e pranishëm dhe u obligua kryesia në Zvicër ta udhëzon anëtarët në Gostivar që projekti të nis të kryhet. Ky projekt do të realizohet nga vet shoqata.
U rikonfirmuan këto VENDIME të miratuara edhe në mbledhjen e kryesisë së Shoqatës Korita Thërret, me datë 22 Shtator
- Shoqata Korita Thërret distancohet nga çfarëdo fjalim ndarës dhe me mesazhe politike gjatë mbajtjes së manifestimeve, sidomos nga manifestimi i fundit. Shoqata nuk ndanë, ajo bashkon dhe është apolitike.
- Me çfarëdo institucione, shoqëri, organizata, OJQ, por edhe individë që në të ardhmen do të bashkëpunoj Shoqata Korita Thërret, do të kërkohet që Shoqata jonë të shihet si palë e barabartë, të mos nënçmohet, por edhe të mos nënvlerësohet. Në të kundërtën do të ndërpritet çdo bashkëpunim.
- Të mbështet projekti për bekatonizimin e hapësirës përpara varrezave të fshatit.
Bern, me 20 Tetor 2018
Leave a Reply