Korita dhe banorët e saj gjithmonë iu kanë përgjigjur çdo kërkese dhe nevoje që ka patur vendi e Kombi, në çdo kohë e periudhë. Karitasit janë rreshtuar dhe kanë iniciuar shumë punë e Projekte të cilat i kanë kryer me sukses, me vet kontribut dhe vetorganizim.
Por, gjëja që mungonte ishte organizimi në një trup të përbashkët siç është themelimi i një Shoqate apo nisme që do të bashkërendoheshin punët dhe aktivitete për fshatin.
Promovimi i traditës dhe dokeve të Koritës, që i ka shumë të veçanta dhe të pasura, por edhe ruajta e tyre do ta bënte të domosdoshme dhe nxiste themelimin e Shoqatës që do përkujdesej për Koritën dhe Karitasit.
Pikërisht jetësimi fillon përmes një Manifestimi kulturor artistik që më vonë do të çonte në themelimin e Shoqatës.
Iniciativa konkrete erdhi, erdhi nga mërgata në Zvicër, atje ku jetojnë qindra familja karitase prej disa dekadash. Korita dhe mërgimtarët e saj të Zvicrës do të bënin jehonë me Manifestimin që po organizohej për herë të parë 2 Gusht të vitit 2014. Të ardhur me Idenë, Planin dhe Organizimin, ideatorët dhe iniciatorët Havzi Selimi, Nazyf Nuhiu dhe Alivebi Kodra, të mbështetur edhe nga mërgimtarë dhe banorë tjerë të Koritës, vendosën që të mbahet Manifestimi i parë që do të quhej KORITA FESTON, e që në fillim iu vendos qëllim që të jetë tradicional.
Korita Feston vendosi themelet dhe u bë me lehtë ecja drejt rrugës përfundimtare për ta ngritur në këmbë Shoqatën e parë të fshatit Koritë.
Manifestimi mbaroi, ideja mori hov dhe themelimi i Shoqatës erdhi.
Gjashtë muaj më vonë, në me 31 Janar të 2015-ës u vendos vula, tetëmbëdhjetë mërgimtarë karitas, Havzi Selimi, Reshit Emini, Çekrez Arifi, Nazyf Nuhiu, Naxhi Selimi, Fiqiri Azizi, Besim Memedi, Sami Selimi, Gafur Ziberi, Shpend Sallai, Nasuf Ismani, Vesel Selami, Ismail Selimi, Ali Nuhiu, Fazli Ismani, Xhezmi Selimi dhe Ali Kodra, në kryeqytetin zviceran në Bernë, themeluan Shoqatën KORITA THËRRET.
Shoqata Korita Thërret me Statut është shoqatë jofitimprurëse e cila është e themeluar në Bernë dhe vepron në përputhje me Kodin Civil të Zvicrës. Statuti është miratuar nga Asambleja e përgjithshme e mbajtur me 21 Janar 2015 në Bernë.
Si organe të Shoqatës janë Asambleja e Përgjithshme dhe Kryesia. Kryesia e parë e Shoqatës KORITA THËRRET u zgjodh me 31 Janar të vitit 2015, ku për kryetar është zgjedhur Havzi Selimi, Sekretar, Reshit Emini dhe Arkëtar, Çerkez Arifi.
Si qëllime kryesore të Shoqatës të evidentuara edhe në Statut e që qëndron si në vijim:
Qëllimi:
a) Njerëzit nga Korita (Maqedonia) të cilët jetojnë në Zvicër dhe jashtë saj avancojnë shkëmbimin e mirëfilltë në fushën kulturore-shoqërore, sportive dhe humane.
b) Kjo Shoqatë iu shërben anëtarëve të saj si platformë për avancim dhe është neutrale në aspektin politik dhe fetar. Ajo i kufizon aktivitetet në sferën e kulturës dhe sportit, si dhe përkrahjen financiare të personave dhe familjeve ekonomikisht të varfra nga Korita.
Duke veprua në përputhje me synimet dhe qëllimet, por edhe në bazë të përvojës së fituar një vit më parë, Shoqata Korita Thërret e organizuar mori barrën e gjithë e shënimit edhe të dy Manifestimeve të radhës tradicional KORITA FESTON në vitin 2015 dhe 2016.
Shoqata Korita Thërret me seli në Zvicër, pjesë të saj ka edhe përfaqësues edhe nga vet fshati Koritë, përfaqësues nga fshatrat Sedllarcë dhe Radiofcë ku jetojnë një numër i madh i banorëve me prejardhje nga Korita.
Së shpejti pritet të krijohet edhe Dega e Shoqatës në Hamburg të Gjermanisë.
Me 25 Shkurt vitit 2017, u mbajt Kuvendi i parë Zgjedhor ku u zgjodh Kryesia e re e Shoqatës Korita Thërret. Për kryetar zgjidhet Emin Emini, Nënkryetar Ali Kodra, Arkëtar Reshit Emini dhe Çerkez Arifi, ndërsa për anëtarë të kryesisë, Agim Demiri, Zendel Ibrahimi dhe Kasam Selimi.